Connect with us

Shqip

BOTIMI I KATËRT I LIBRIT “PËRGJIGJE JOMYSLIMANËVE NË PYETJET MË TË SHPESHTA PËR ISLAMIN”

RECENSION

Myslimanët janë umeti i përzgjedhur për ta bartur mesazhin e fundit qiellor drejtuar njerëzimit. Amaneti që e kanë marrë përsipër nuk është fare i lehtë. Kjo është detyrë në të cilën, të gjithë, sipas mundësisë që kanë, kontribuojnë, ashtu që mesazhi i Zotit të përcillet te të tjerët. Sigurisht se dijetarët e kanë përgjegjësinë më të madhe, veçmas në çështjet që janë të ndjeshme dhe që kërkojnë dije të thellë, gjykime të peshuara drejt dhe përvojë të gjatë.

Libri që keni para vetes është vepër e një thirrësi dhe dijetari, në personalitetin e të cilit mjeshtërisht gërshetohen këto tri tipare. Përvoja e tij e gjatë në ambiente të ndryshme gjithandej globit e kanë bërë emër referencial në fushën e thirrjes në Islam. Veprat e tij, e më saktë kjo vepër e përkthyer në shqip, është produkt i një angazhimi shumëvjeçar të autorit, e që për mendimin tim dallon për dy detaje që i gjejmë, mbase rrallë në vepra të tjera:

1) Përgjigjet e thukëta dhe të menduara mirë, të cilat ofrohen nga aspekte të ndryshme, fetare, shkencore, historike, dhe;

2) Instruksionet dhe udhëzimet që ofrohen herë pas here, për përgatitjen e përgjigjeve për jomyslimanët, e që këtë libër e shndërrojnë në një referencë fillestare në këtë fushë.

Libri është hapur me diskutimin rreth mënyrës së komunikimit me jomyslimanët, e që për mua personalisht flet shumë. Ne nuk jemi të ngarkuar vetëm me përcjellje të mesazhit fetar, por edhe me mënyrat e duhura të përcjelljes së mesazhit te të tjerët. Dialogu, veçmas në kohën tonë të hapjes së mundësisë së komunikimit me njerëzit në botën mbarë, është mënyra që duhet ta kemi në hatër, veçmas për shkak të efekteve të mëdha në pranimin e mesazhit fetar. Këtë duhet ta kuptojmë si një mirësi të madhe, meqë na është dhënë mundësia t’u flasim të tjerëve për veten tonë, për fenë tonë, sepse, siç ka potencuar autori, një pjesë e madhe e jomyslimanëve janë viktima të keqinformimit të qëllimshëm përkitazi me Islamin dhe mësimet e tij.

Tutje autori është marrë me dilemat, pyetjet dhe keqkuptimet më të shpeshta të jomyslimanëve rreth Islamit. Me trajtesat e tij prej një mjeshtri të Thirrjes, ai ka arritur që t’i flakë keqkuptimet rreth Islamit dhe të ofrojë shpjegime bindëse, të shoqëruara me fakte shkencore dhe jo vetëm. Ai është shërbyer edhe me tekste fetare nga libra të marrë për të shenjtë e fetarë në komunitete të caktuara, duke ua dhënë përgjigjeve një provë shtesë dhe një përforcim të tipit “Dëshmoi një dëshmitar nga familja e saj…” .

Autori gjatë shpjegimeve ka zbardhur edhe mirësi dhe objektiva për të cilat Islami dallon si fe. Ruajtjen e dinjitetit njerëzor e potencon disa herë përderisa arsyeton ndalimin që Islami ua ka bërë disa gjërave. Kështu përgjigjet fitojnë dhe një dimension tjetër, atë human. Islami është fe që nuk ndeshet me natyrshmërinë e pastër në asgjë. Ky fakt do të duhej të trokiste në ndërgjegjen tonë, dhe të na zgjonte nga gafleti i thellë në të cilin kemi rënë. Pra, është detyrë jona që njerëzimit, përveç të tjerash, edhe për ta ruajtur humanizmin e tyre, t’ia prezantojmë këtë fe.

Këtë duhet ta bëjmë edhe për faktin tjetër se qarqet dashakeqëse që qëllimshëm e shtrembërojnë imazhin islam në botë, në këtë kohë janë shumë dhe janë më aktive sesa qarqet që punojnë për ta zbardhur këtë imazh.

Unë do të doja ta përgëzoj hoxhën Mr. Feim Dragusha për këtë përkthim brilant që ia ka bërë kësaj vepre. Vetë fakti se po ribotohet për herë të katërt flet se sa i rëndësishëm është libri, dhe sa i kërkuar është te lexuesi ynë shqipfolës. Allahun e Madhëruar e lus që autorit, përkthyesit dhe të gjithë atyre që në një ose formë tjetër kanë kontribuuar që ky libër të dalë në dritë, Allahu t’i lartësojë në dynja e ahiret, t’i shpërblejë me të mirat dhe mundësitë që Ai ka!

Dr. Sedat ISLAMI

Ish-ligjërues në Fakultetin e Studimeve Islame (FSI) në Prishtinë

27 tetor 2024

Vushtrri – Kosovë

__________________________________________________________

FJALA E PËRKTHYESIT ME RASTIN E BOTIMIT TË KATËRT

Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun e Plotfuqishëm, ndërsa përshëndetjet dhe uratat tona ia përcjellim vulës së pejgamberisë, Muhamedit, alejhi selam, familjes së tij të dashur, shokëve të tij besnikë, si dhe mbarë besimtarëve që punojnë sipas porosive të tij!

Lexues të dashur, librin që e keni në duar është kontribut i çmuar i doktorit specialist të mjekësisë. Ai quhet Zakir Naik, të cilin Allahu e ka begatuar me dituri të shumta, e veçanërisht në fushën e krahasimeve ndërfetare. Temat që autori ka përmbledhur në këtë libër janë rezultat i pyetjeve më të shpeshta që jomyslimanët i kanë parashtruar rreth Islamit. Edhe për faktin se libri është shkruar para më se 26 vjetësh dhe është dedikuar për jomyslimanët, pyetjet janë valide edhe për shumë myslimanë sot që Islamin e njohin vetëm sipërfaqësisht, dhe jo vetëm kaq.

Lexuesi në këtë libër do të pajiset me përgjigjet që i kanë munguar për shumë vite. Për herë të parë në gjuhën shqipe libri u botua në maj të vitit 2010, gjatë kohës sa shërbeja imam dhe ligjërues në xhaminë “El Hidaje”, në St. Gallen të Zvicres. E veçanta e librit ishte se, duke pasur parasysh punën dhe misionin tim si Imam në Evropë, si dhe vizitat e shpeshta të jomyslimanëve që ia bënin xhamisë, vendosa që botimit në gjuhën shqipe t’ia bashkoj versionin origjinal në anglisht. Libri u botua me një tirazh 500 copë, dhe kishte gjithsej 228 faqe. Mysafirëve të besimeve të tjera (jomyslimanëve) që e vizitonin xhaminë “El Hidaje”, dhe më vonë xhaminë “Xheneti”, librin ua dhuronim falas, pasi në këtë punim ata mund t’i gjenin të gjitha përgjigjet e duhura që me vite u kishin munguar.

Duke parë që një numër bukur i madh i shqiptarëve kishin migruar në Perëndim, në mes të viteve të ’60-ta dhe të ’70-ta, për të mbajtur gjallë familjet e tyre në vendlindje, ajo që kishte mbetur e trashëguar nga Islami ishte vetëm emri i tyre si dhe agjërimi i muajit Ramazan. Kësisoj, libri në fjalë ishte një ndihmesë shumë e madhe për ta, pasi pyetjet e tyre nuk dallonin fare nga pyetjet që i shtronin jomyslimanët.

Gjithashtu, pas interesimit të madh të lexuesve në Diasporë, e në veçanti të xhematlinjve gjithandej Zvicrës dhe Gjermanisë, u pa nevoja që librin ta përkthenim edhe në gjuhën gjermane, për faktin se në vendin ku jetoja dhe punoja flitej gjuha gjermane. Dhe kështu, botimi i dytë u realizua në fund të vitin 2010, dhe i treti në shtator të vitit 2011, me një tirazh 1000 ekzemplarë, kësaj radhe në gjuhën shqipe dhe gjermane.

Vlen të përmendet se gjatë periudhës 2010-2015 libri është promovuar në disa qendra islame në Zvicër, Gjermani dhe Kosovë. Promovimi i parë është organizuar në xhaminë “El Hidaje” , menjëherë pas botimit të parë të librit, me panelistë: Dr. Qani Nesimi dhe Mr. Jeton Mehmeti. Promovimi i dytë është realizuar në xhaminë e Bardhoshit (Prishtinë), në verën e vitit 2011, me dy panelistë: Sedat Islami dhe Driton Morina.

Për rëndësinë e madhe që ka ky libër dhe për përgjigjet koncize që ka ofruar Zakir Naik, kam pasur fatin dhe privilegjin që, në cilësinë e përkthyesit, të pranoj ftesë nga xhami dhe qendra të shumta islame në Zvicër, duke filluar nga imami i xhamisë së Kreuzlingenit, Mr. Rejhan Neziri, nga Kryesia e xhamisë “Drita” në Pratteln, ku panelist ka qenë Dr. Sedat Rrustemi, pastaj nga kryesia e xhamisë së Gllarusit, të cilët më ftuan për të ligjëruar pranë 30 studentëve zviceranë, që kishin ardhur ta vizitonin xhaminë shqiptare, dhe pyetjet e tyre ishin të ngjashme me ato që ka ofruar autori i librit, më pastaj ftesë kam pranuar gjithashtu edhe nga xhamia shqiptare në Wil dhe Buchs të St Gallenit.

Ndërsa, nga viti 2012, pasi u themelua Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër, një numër i madh i xhamive e kanë porositur librin në fjalë, në mënyrë që t’u shpërndahet vizitorëve të religjioneve të tjera, veçanërisht gjatë organizimit të dyerve të hapura, kur prezantojnë gazetarë, priftërinj, studiues etj., pastaj të konvertuarve (sepse libri ishte në gjuhën shqipe dhe angleze) ngase deri në këtë vit nuk kishte ndonjë libër të ngjashëm dhe me qasje mesatare, e që do të mund t’u dhurohej jomyslimanëve ose atyre që e kishin përqafuar fenë islame.

I dashur lexues, tani që kanë kaluar gati 14 vjet nga botimi i fundit, libri “Përgjigje jomyslimanëve në pyetjet më të shpeshta për Islamin” po ribotohet për herë të katërt, dhe kjo falë kontributit të shqiptarëve nga Diaspora, të cilët kanë shprehur dëshirë që libri të botohet dhe të shpërndahet falas.

Kësaj radhe jemi munduar që t’i marrim parasysh të gjitha vërejtjet dhe sygjerimet e kolegëve tanë që janë aktivë në fushën e davetit (thirrjes islame), duke i përmirësuar kështu gabimet që na janë përvjedhur në botimet e mëhershme. Libri përsëri i është nënshtruar redakturës gjuhësore, të cilën e ka bërë profesor Besnik Jaha, ligjërues në Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë dhe në Fakultetin e Studimeve Islame, si dhe është rishikuar dhe recenzuar prej Dr. Sedat Islamit, të cilët i falënderoj përzemërsisht për mundin e tyre.

Krejt në fund, duke parë që libri është shkruar para gati tri dekadave, autori me mjeshterinë e tij ka shtjelluar tematika shumë të rëndësishme për lexuesit mbarë, duke ofruar kështu përvojat e tij nga kontinente dhe shtete të ndryshme të botës, për çfarë e bënë të veçantë dhe tërheqës leximin e këtij libri, e deri te citimi i statistikave; mirëpo, ja që disa nga të dhënat statistikore përgjatë viteve kanë pësuar ndryshime, e që është normale. Prandaj, si përkthyes, jam orvatur që këto të dhëna t’i korrigjoj dhe t’i sistemoj në libër, ndërsa termat apo nocionet e përdorura prej autorit, e që në disa raste nuk kanë qenë të lehta për t’u kuptuar, i kam shpejguar më gjerësisht në fusnotë, sepse jo të gjithë lexuesit kanë përgatitjen e njëjtë shkencore që t’i kuptojnë.

I lutem Zotit Fuqiplotë që mundin e derdhur në këtë punim të na e pranojë, ndërsa lexuesit -qofshin ata myslimanë a jomyslimanë – t’i udhëzojë në rrugën e drejtë dhe t’i ndihmojë që të ruhen nga propagandat perëndimore, e që padrejtësisht vazhdojnë të shpifin kundër fesë dhe mësimeve islame! Ata e harrojnë fjalën e Pejgamberit, alejhi selam: “Ju betohem se Islami do të mbërrijë aty ku ka mbërritur dita e nata!”.

FEIM DRAGUSHA (PhDc)

Ish-Imam në xhaminë “Xheneti” St. Gallen-Zvicër
29 nëntor 2024
Bërnicë e Epërme – Prishtinë
Republika e Kosovës

Shqip

XHAMIA INTERNACIONALE “ES-SELAM“ NË QYTETIN WIL – ST.GALLEN

Në qytetin e bukur të Wilit, (Kanton St. Gallen) gjendet një xhami e bukur, e cila është themeluar në qershor të vitit 2008 nga disa vëllezër shqiptarë.
Xhamia është e veçantë përshkak se është e vetmja xhami në Zvicër në të cilën falën besimtarët myslimanë nga 28 nacionalitete të ndryshme nga e mbarë bota. Xhamia ka një sipërfaqe prej 350 metrave katror. Posedon faltoren për gram e hyrje të veçantë, kuzhinën për shtruarjen e iftareve dhe aktiviteteve të tjera dhe disa parkingje për vetura. Ligjëratat e xhumasë mbahen në gjuhën arabe dhe gjermane dhe imam në këtë xhami është Makbule ef. Idrizi.
Makbul Idrizi – KUADER I EZ-HERIT
Makbul ef. Idrizi është një imam i zellshëm. U lind me 28 dhjetor 1979 në fshatin Sllatinë, komuna e Tearcës – Tetovë. Shkollën fillore deri në klasën e pestë e kreu në vendlindje, dhe më pastaj ai shpërngulet në Zvicër për t’iu bashkangjitur prindërve të tij, respektivisht në Sirnach, Kantoni Thurgau.
Pas përfundimit të shkollimit në Zvicër, ishte dëshira e Allahut që ai të njihet me disa vëllezër nga Maroku dhe Tunizia, të cilët ishin pjesë e xhematit Teblig.
Duke parë përkushtimin e tyre në thirrjen islame, Makbul Idrizi së bashku me ta udhëton për në Indi dhe Pakistan për t’u njohur me dijetarë dhe profesorë nga bota arabe dhe islame.
Gjatë qëndrimit të tij gjashtë mujor në Indi, pati fatin që të takohej me disa dijetarë nga Egjipti, të cilët e ftuan që t’i ndjek studimet në Universitetin Al-Azhar, një ndër Universitetet me të vjetra në botë.
Duke e ditur se në Zvicër nuk kishte Medrese Islame, Makbul Idrizi u detyrua që për katër vite me radhë t’i ndjek mësimet në Medresenë e Ez-herit, në të cilët tregon Imami që brenda vitit kanë qenë 17 lëndë mësimore, që të gjitha në gjuhën arabe.
Nuk ka dyshim se kjo ka qenë një sfidë shumë e madhe për një nxënës shqiptar që ka filluar mësimet në Tetovë në gjuhën shqipe, pastaj i ka vazhduar ato në Zvicër në gjuhën gjermane dhe nga zelli i madh për të nxënë dije islame, arrin që në afat rekord të mësoj gjuhën arabe dhe me sukses të përfundoj Medresenë e Mesme të Ez-herit për të vazhduar studimet Bachelor gjithashtu në Universitetin e Ez-herit, Departamenti për Drejtësi Islame (Sheriat), të cilat i përfundoi në vitin 2012.
Në vitin 2012 Makbul ef. Idrizi kthehet në Zvicër për t’i shërbyer xhematit në qytetin e Wilit, por kësaj radhe ai kthehet i pajisur me një Diplomë nga një Universitet me renome Ndërkombëtare, siç është Universitet i Az-harit.
Siç theksuam më lartë, Makbuli kishte shërbyer Imam edhe gjatë kohës sa ishte student në Egjipt, e veçmas gjatë pushimeve verore, ai i përkushtohej xhamisë dhe da’vetit.
STUDIMET NË NIVELIN MASTER
– Dega Fikh el-Mukaren
Duke parë sfidat e mëdha me të cilat ballafaqohen shumë xhami në Zvicër përshkak të mënyrës se faljes, pasi që në Zvicër ka myslimanë nga vende të ndryshme të botës, në vitin 2022, imami i xhamisë Es-Selam, Makbul ef. Idrizi regjistroi magjistraturën gjithashtu në Universitetin Al-Azhar, në fushën e Jurisprudencës Islame; Fikh el-Mukaren, dhe tani është në përfundim të magjistraturës.
Kjo shkencë e Fikhut në Universitetin e Ez-herit është futur në kurrikulë që nga viti 1950, edhe për faktin se si fushë dijetarët janë marrë me të para 1000 viteve, siç është Ibën Kudame, andaj konsiderohet një degë e re për xhematin e Zvicrës dhe shumë e dobishme për xhematin ku jetojnë dhe veprojnë, sepse jo të gjithë e njohin shkollën e tyre juridike (medh’hebin), pasi që në xhaminë Internacionale në Will, në të cilën shërben Imami Idrizi, aty mund të shohësh që xhemati është i përzier dhe është e natyrshme t’i shohësh duke u falur konform medh’hebit të tyre, me fjalë të tjera, aty xhemati i përkasin të gjitha medh’hebeve.
Imami Makbul ef. Idrizi e zgjodhi këtë fushë për ta studjuar, sepse ai përgjatë viteve sa kishte punuar si imam, kishte parë fanatizmin ndaj medh’hebeve, jo vetëm tek shqiptarët, por edhe të shumë nacionalitete të tjera te besimit islam, për të mos thënë se kjo dukuri është prezente edhe tek disa hoxhallarë edhe sot e kësaja dite.
Studimi i Fikhut Krahasimtar (Fikhul Mukaren), studentit i mundëson që të njoh argumentet dhe metodologjinë e të gjitha shkollave juridike islame, si rrjedhojë, ai zgjeron njohuritë e tij duke e bërë atë me të drejtë, me të ekuilibruar dhe më largpamës në trajtimin e çështjeve fetare, e mbi të gjitha studentin e edukon që të respektoj mendimin e palës tjetër dhe kësisoj ai mund t’i shërbej xhematit me urtësi, sinqeritet dhe t’i flas me gjuhën e argumentit, e assesi me gjuhën e urrejtjes dhe fanatizmit.
BASHKËPUNIMI I IMAMIT ME ORGANËT KOMUNALE
Xhamia «Es-Selam» që nga viti 2012, e deri me sot zyrtarisht përfaqësohet nga Imami Mr. Sci. Makbul ef. Idrizi si dhe kryetari Shkelqim Bajrami. Xhamia ka arritur të realizoj një sërë projketesh me organet komunale, të cilat janë në dobi të shoqërisë dhe komunitetit myslimanë në qytetin e Wil-it.
Imami ftohet zyrtarisht në mbledhjet e organizuara nga Komuna dhe me pasuesit e feve të tjera, respektivisht nga kisha Katolike dhe kisha Protestante.
Xhamia është e hapur prej namazit të Sabahut deri në kohën e Jacisë.
Vlen të përmendët se përgjatë muajit te bekuar të Ramazanit, në këtë xhami iftari shtrohet për çdo ditë dhe namazi i teravive falet me hatme.
Imami është i hapur për dialog me të gjitha komunitetet dhe i respektuar nga zyrtarët komunalë për kontributin e tij dhënë qytetit të Wilit, një gjë që është dëshmuar edhe përmes shkrimeve nëpër gazeta të shkruara dhe elektronike.
✍️ Feim Dragusha
04.07.2026
Wil, St. Gallen – Zvicër

Continue Reading

Shqip

Feja në shkolla

Në emisionin “Pika e ditës” në televizionin Kanal10
Tema: Feja në shkolla

Continue Reading

Shqip

Ndani përvojën tuaj të studimit në Brunei

mediapermata.com.bn ka publikuar një artikull në lidhje me ligjeratën e mbajtur në Kolej Universiti Perguruan Ugama Seri Begawan (KUPU SB)

Burimi:
https://mediapermata.com.bn/kongsi-pengalaman-pengajian-di-brunei/

Continue Reading

Trending