Connect with us

Shqip

VIZITË NË FAMILJEN DRAGUSHA NË SHKODËR

Më datën 6 shkurt 2024 arrita të vizitoj familjen e madhe Dragusha në Shkodër. Në fotografi jam me trashëgimtarin e Hysen Dragushës, Irfanin të birin e Xhelalit, të cilët janë shumë të suksesshëm në fushën e ekonomisë dhe biznesit. Në shenjë respekti ju dhurova 5 ekzemplarë të librit tim “Historiku i Dragushëve të Bërnicës 1879-2020”.

FAMILJA DRAGUSHA NGA SHKODRA

Ulqini, një qytet i vogël buzë Adriatikut, deri në vitin 1878, ishte pothuajse i panjohur për Evropën, por pastaj pushtoi gazetat evropiane, duke raportuar për rezistencën shqiptare kundër të gjithëve. Fama e kësaj lufte kaloi edhe Atlantikun dhe pushtoi faqet e gazetës “New York Times”. Ishte një nga perlat e Adriatikut që po i shkëputej Shqipërisë me forcë nga Kongresi i Berlinit.

Ulqini, një qytet i vogël buzë Adriatikut, deri në vitin 1878, ishte pothuajse i panjohur për Evropën, por pastaj pushtoi gazetat evropiane, duke raportuar për rezistencën shqiptare kundër të gjithëve. Fama e kësaj lufte kaloi edhe Atlantikun dhe pushtoi faqet e gazetës “New York Times”. Ishte një nga perlat e Adriatikut që po i shkëputej Shqipërisë me forcë nga Kongresi i Berlinit. Ishte porti më i rëndësishëm në veri, nëpërmjet të cilit Shkodra zhvillonte tregtinë e saj në Mesdhe e më gjerë.

Ishte një nga portet gravitante të Shkodrës. Me vendim të Kongresit të Berlinit, Ulqini, Tivari dhe një pjesë e Vilajetit të Shkodrës iu falën Malit të Zi. Në vitin 1860, Ulqini kishte 190 anije lundrimi; aktualisht ajo ka jo më shumë se 80 deri 90 anije të angazhuara ekskluzivisht në një tregti përgjatë bregut. Dikur, para ekzistencës së një flote të veçantë austriake, Ulqini ishte një bazë piratësh famëkeqë, i cili kishte të ankoruar plotësisht 400 anije piratësh. Në atë periudhë, qyteti i ri kishte 2800 banorë shqiptarë muhamedanë, dymbëdhjetë familje serbe, me rreth tetëdhjetë persona, që i përkasin Kishës Ortodokse Greke, tetë familje katolike shqiptare, me dyzet persona dhe rreth një duzinë të kasolleve të banuara nga tetëdhjetë jevg.

Në Kongresin e Berlinit, Mali i Zi kishte hyrë me një sipërfaqe prej gjithsejtë 4700 km2, por pas përfundimit të Kongresit ajo doli me një sipërfaqe të dyfishuar: me 9100 km2, plus me dalje në Adriatik, me të drejtën e lundrimit të anijeve të tij nëpër liqenin e Shkodrës dhe nëpër lumin e Bunës dhe me njohjen ndërkombëtare të pavarësisë. Edhe Buna u nda përgjysmë. Po krijohej shteti i Malit të Zi në kurriz të Shkodrës?!

Për Ulqinin më tërheqë vëmendjen edhe roli në këtë ngjarje kruciale të historisë sonë, i familjes Dragusha në përgjithësi dhe i tre vëllezërve Ibrahim, Abdyl-Fetah dhe Hysen të kësaj shtëpie në veçanti. Kjo shtëpi qëndronte si kështjellë hijerëndë në mes të Perashit. Kishte përreth shtëpitë e nderuara të Reçve, Kalaceve, Kamatave e Dajti. Familja e Shaban Aga Dragushës ishte shumë e vjetër në Shkodër, djemtë e saj kishin filluar të bënin emër në Shkodër. Kishte pesë djem, por dy i vdiqën herët.

Djali i madh u emërua komandant kufiri në Shkodër, duke dhënë kështu një ndihmesë në futjen në marrëdhënie tregtare të Hysenit, i cili e rimëkëmbi ekonominë e familjes, pasi fitimet ishin shumë të mëdha në atë kohë që tregtia zhvillohej përmes lumit Bunë. Ndërsa dy vëllezërit e tjerë, Ibrahimi dhe Abdyl-Fetahu, kryen medresetë, madje Abdyl-Fetahu shkoi në Stamboll, ku u diplomua në sferën e teologjisë.

Dashuria dhe abnegacioni për atdheun i këtyre vëllezërve gjeti shprehjen e vet më të lartë, kur nga diplomacia evropiane tokat shqiptare u projektuan për të shuar urinë e pangopur të fqinjëve tanë shovinistë. Në vitet e Lidhjes së Prizrenit shpërthyen energjitë e tyre me potencialin e vet të plotë. Emrat e të dyve, Hysenit e Abdyl-Fetahut, pasqyrohen në listat e komisioneve të degës së Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën ose siç quhej në zhargonin popullor “Lufta e Miletit”, ndërsa vëllai tjetër, lbrahimi, bënte pjesë në Komisionin Ekzekutiv të Degës. Nënshkrimin e tij e gjejmë ngjitur atij të Daut Efendi Boriçit dhe anëtarëve të tjerë të degës, në lutjen që u pati drejtuar konsujve që ndodheshin në Shkodër për të shpëtuar Hotin e Grudën nga aneksimi i Malit të Zi.

Një gjë të tillë e gjejmë edhe në protestën e hartuar për mbrojtjen e Ulqinit. Ai qe i pranishëm në bisedën telegrafike që u zhvillua me ministrin e Luftës, H. Pashën, me 27 gusht 1880, nga zyra postare e Shkodrës. Duke pasur parasysh se Shkodra e pati në qendër të vëmendjes sistemimin e refugjatëve të shumtë që kishin vërshuar në qytet nga trevat kufitare, si: Podgorica, Shpuza, Zhabjaku e Nikshiqi nuk gabojmë të supozojmë se në komisionin përkatës duhet të ketë qenë aktivizuar ndonjëri nga vëllezërit Dragusha. Po citojmë nga “Letrat e vëll. Çoba” një pasazh, ku pohohet pikërisht roli i mësipërm në ngjarjet: “…Komisioni ngarkoi Hys Dragushën që ta këshillonte Filip Beroviqin: Rrudhe gojën e rri rahat në punën tande”, sepse ndryshe mund ta pësonte me qëndrimin e tij. Për vëllezërit Dragusha bëhet fjalë edhe në dokumentet e arkivave austriake: raportohet se këta s’po linin gurë pa lëvizur për të penguar dorëzimin e Podgoricës Malit të Zi nga ana e Turqisë, duke e shpjeguar këtë interesim të tyre me faktin që, gjoja, kjo braktisje do të prekte interesat e familjes Dragusha.

Ndërkohë, Fuqitë e Mëdha ndërhynin në mënyrë diplomatike te Porta e Lartë, por si gjithnjë, duke mos dashur të hynin në luftë me shqiptarët. Perandoria zvarriste dorëzimin qëllimisht. Për ta vënë para aktit të kryer, Gladston – Kryeministër i Anglisë – mendon të bëjë kusurimin e porteve të Perandorisë Osmane, e sidomos portin e Izmirit, me qëllim që ta ketë si garanci e material për Ulqinin. Këta hapa të rinj të Anglisë e detyruan Turqinë që të ndërmerrte masa serioze për dorëzimin e Ulqinit, Malit të Zi. Frika e pushtimit të Izmirit, ku nxirreshin të ardhurat doganore më të mëdha të Perandorisë, e bindi Turqinë se çështja e Ulqinit s’mund të vijonte më gjatë dhe u përgjigj se do të merrte masa për ta dorëzuar menjëherë. Duke parë se Turqia ishte vënë me shpatulla pas murit dhe nuk mund të vepronte ndryshe, Komisioni i Lidhjes së Prizrenit iu përgjigj flakë për flakë me vepra konkrete.

Nga këto materiale kuptohet gjithashtu se vëllezërit Hysen e Fetah ishin anëtarë të komisionit të Lidhjes dhe se kishin miqësi me konsullin anglez Green, provë se ishin njerëz me ndikim. Duke qenë se përkushtimi i tre vëllezërve Dragusha ndaj çështjes së trojeve shqiptare nuk përputhej me politikën e ndjekur nga austriakët dhe diplomacia evropiane, konsulli austriak shpreh konsiderata jo miqësore në adresë të tyre, veçanërisht për Abdyl Fetahun, sepse duke iu referuar Hysenit, e karakterizon kështu: “…I vëllai i Hoxhë Dragushës (lexo: Abdyl-Fetahut, shënimi ynë), qi njihet si përzimtar e ngatrrestar i rrezikshëm”. Pra, nuk lanë mënyrë e formë pa e diskredituar Hysenin, por opinioni në popull fliste ndryshe. Malazezët tentonin të siguronin shqiptarët se nuk ishte Mali i Zi ai që kërkonte të aneksonte Ulqini e Tivarin, por kështu kishin vendosur Fuqitë e Mëdha evropiane.

Krajl Nikolla shqetësohet shumë nga gjendja e paparashikuar dhe nxiton të sigurojë shqiptarët se nuk dëshiron aspak të sulmojë më Shqipërinë. Por Lidhja tejkalon tashmë vetveten dhe jep urdhër të sulmohet Mali i Zi. Vetëm ndërhyrja e Fuqive të Mëdha do të jetë agjenti i jashtëm që do të shpëtojë Malin e Zi nga mësymja shqiptare. Kishin kaluar dy vjet nga Kongresi famëkeq i Berlinit dhe çështja e kufirit midis Portës së Lartë dhe Malit të Zi nuk ishte zgjidhur. Shqiptarët ndodheshin në pozicione të sigurta dhe nuk lëshonin troje.

Me propozim të Austro-Hungarisë hidhet ideja që Malit të Zi t`i jepet qyteti i Ulqinit me rrethinat, sepse edhe pozita e tij gjeografike ishte më e favorshme se krahinat e mëparshme, të cilat ishin malore. Pasi merr miratimin e Fuqive të Mëdha, ushtria e Malit të Zi lëviz drejt qytetit të Ulqinit, e organizuar në 22 batalione. Lidhja, nga ana e saj, ngarkon degën e Shkodrës për organizimin e mbrojtjes së qytetit. Thirrjes i përgjigjen menjëherë 270 shkodranë dhe pas tyre niset edhe komandanti i përgjithshëm i caktuar nga Lidhja për mbrojtjen e Ulqinit, Jusuf agë Sokoli, me 500 shkodranë të tjerë. Këtij i bashkohen edhe 300 shqiptarë të tjerë nën komandën e Haxhi Mehmet Becit e Mehmet Gjylit.

Qeveria e Stambollit mori masa të tjera shtrënguese kundër shkodranëve për të siguruar dorëzimin pa luftë të Ulqinit. Ajo vendosi të përfitonte nga përçarja që u thellua në Kuvendin e Dibrës dhe t’i jepte fund qëndresës së Lidhjes për mbrojtjen e Ulqinit. Më 25 tetor 1880, Porta e Lartë largoi nga Shkodra gjeneral Riza Pashën dhe në vend të tij dërgoi mareshal Dervish Pashën, të shoqëruar nga 21 batalione dhe të pajisur me fuqi të jashtëzakonshme. Ai u emërua komisar i jashtëzakonshëm dhe kryekomandant i Vilajetit të Shkodrës. Për të shmangur pusitë e forcave shqiptare, Dervish Pasha udhëtoi nga Stambolli në Shqipëri me anije. Sapo arriti në Shkodër, më 3 nëntor 1880, ai i dha një ultimatum Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës për të tërhequr vullnetarët shqiptarë nga Ulqini.

Para dhe gjatë Kongresit të Berlinit, delegati i Malit të Zi në Kongres deklaronte se të drejtat e Malit të Zi duhet të jenë më të zgjeruara. Ai theksonte posaçërisht vijën kufitare me Shqipërinë dhe dëshmoi se pa tokat pjellore në bregdet, Mali i Zi nuk do të mund të jetonte. Ndërsa konti Petar Shuvalloviqi, me urdhër të qeverisë tij ruse, kërkoi prej Kongresit që Malit të Zi t’i jepej rajoni i kërkuar deri në Bunë dhe Shkodër.

Mali i Zi nuk ishte i kënaqur me vendimet e Kongresit të Berlinit. Këtë e shprehte edhe princ Nikolla kur theksonte: “Më e rëndë për mua është që jashtë kufijve mbeten lumi Buna, arterie e jetës sonë dhe Ulqini”. Princi e urdhëroi Stanko Radoniqin që përpara se të përshëndetej e të largohej nga Berlini, të njoftonte çdo anëtar të Kongresit se Mali i Zi nuk është shpërblyer drejt dhe se kufijtë e rinj janë caktuar në mënyrë të padrejtë.

Kjo tregonte se nga Kongresi i Berlinit, Mali i Zi kishte tendenca bregdetin dhe portet e tij, prapa të cilave qëndronte diplomacia ruse. Mosrealizimi i vendimeve të Kongresit të Berlinit, nga Porta e Lartë, si rezultat i së cilave në skenën ndërkombëtare Fuqitë e Mëdha nxorën çështjen e Ulqinit, bëri që diplomacia ruse të shkonte drejt qëllimit të saj për dominimin në Ballkan dhe Mesdhe.

Presioni i Rusisë në drejtim të fuqive të mëdha për dorëzimin e Ulqinit bëri që të merreshin të gjitha masat dhe t’i jepej ultimatum i fundit Portës së Lartë në zbatimin e marrëveshjes. Autorizimi i Dervish Pashës për zbatimin e marrëveshjes tregonte vendosmërinë e Portës së Lartë në realizimin përfundimtar të marrëveshjes. Fuqitë e Mëdha e kërcënuan Perandorinë Osmane se po të mos e detyronte me forcë Lidhjen e Prizrenit që kjo t’ia dorëzonte Ulqinit Malit të Zi, ato do të ndërhynin në Ulqin me flotën e tyre luftarake dhe në të njëjtën kohë do të zbarkonin në skelën turke të Izmirit.

Komiteti i Lidhjes Shqiptare për Ulqinit u përgjigj duke shpallur se për të mbrojtur trojet e tyre dhe atdheun e tyre shqiptarët ishin të vendosur për të luftuar edhe kundër Perandorisë Osmane ose Fuqive të Mëdha.

Dervish Pasha në fillim përdori aspektin diplomatike, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje me shqiptarët që në mënyrë paqësore të bëhet dorëzimi i Ulqinit. Frika nga pushtimi i Stambollit në rast se nuk dorëzohej Ulqini, ishte raporti i kapitenit Sale më 10 nëntor 1880, ku thoshte se Dervish Pasha bën thirrje te shqiptarët e Shkodrës se duhet medoemos të behet dorëzimi i Ulqinit.

Në këtë kohë treva e Ulqinit ndodhej nën kontrollin e forcave vullnetare të Lidhjes Shqiptare, që drejtoheshin nga shtabi ushtarak i formuar për mbrojtjen e Ulqinit. Nën drejtimin e tij, sipas të dhënave më të sakta, qenë 2 mijë vullnetarë të vendosur në Ulqin (nga të cilët 800 ulqinakë) dhe 2 mijë të tjerë, në sektorin e Tuzit. Në fillim të nëntorit, kur Dervish Pasha ishte vendosur tanimë në Shkodër, mbërritën këtu qindra vullnetarë të tjerë nga Tetova, nga Shkreli, nga Dibra, nga Kelmendi dhe pritej të vinin rreth 4 mijë të tjerë nga Prizreni, nga Gjakova e nga Dibra. Presionet që Dervish Pasha bëri nga 7 deri në 16 nëntor 1880 ndaj Komitetit Ndërkrahinor të Lidhjes për Shkodrën për ta detyruar të dorëzonte Ulqinin nuk dhanë rezultat. Edhe Komiteti i Lidhjes për Ulqinin në peticionin që u dërgoi më 16 nëntor Fuqive të Mëdha, shprehte vendosmërinë për mbrojtjen e qytetit. Fryma e qëndresës kishte përfshirë gjithë popullsinë e qytetit.

Për të shpejtuar dorëzimin e Ulqinit u angazhuan konsulli anglez (K. Grini) dhe ai austro-hungarez (F. Lipih) në Shkodër, të cilët, në marrëveshje me Dervish Pashën, ushtruan trysni mbi Komitetin Ndërkrahinor të Shkodrës për ta bindur të hiqte dorë nga mbrojtja e Ulqinit. Përkundrejt kësaj konsujt e huaj do të ndërhynin pranë sulltanit për t’u dhënë shqiptarëve të drejtat autonomiste.

Përballë trysnisë së Dervish Pashës dhe premtimeve të konsujve të huaj, më 17 nëntor 1880, shumë anëtarë të Komitetit Ndërkrahinor të Shkodrës deklaruan se hiqnin dorë nga qëndresa e armatosur në Ulqin. Ndërkohë edhe mjaft nga përfaqësuesit e krahut të moderuar kishin kapitulluar para Dervish Pashës dhe patën shkuar aq larg, sa disa ditë më parë kishin lajmëruar telegrafisht Kuvendin e Dibrës se nuk kishin nevojë për ndihma, pasi kishin vendosur ta dorëzonin qytetin. Kapitullimi i tyre shkaktoi revoltimin e atdhetarëve shkodranë, të cilët formuan një komitet të ri të Lidhjes Shqiptare për Shkodrën.

Në komitetin e ri, që u ngrit më 19 nëntor 1880, hynë partizanët e vendosur të mbrojtjes me armë të Ulqinit, si Selim Efendi Çoba, Isuf Sokoli, Fetah Dragusha, Filip Çeka, Ahmet Efendi Bushati etj.

Tri ditë më vonë, më 22 nëntor 1880, ndërsa Shkodra nuk e kishte kapërcyer ende krizën e brendshme politike, Dervish Pasha i dha urdhër ushtrisë turke të fillonte marshimin për në Ulqin. Atë ditë ushtritë turke u ndeshën me forcat shqiptare të Kodra e Kuqe, afër fshatit Klesna. Në fillim vullnetarët shqiptarë i sprapsën ushtritë turke, por më vonë, pasi arritën reparte të tjera osmane të pajisura me artileri moderne, forcat shqiptare u thyen. Komandanti i tyre Isuf Sokoli u plagos rëndë dhe pak më vonë vdiq. “Nga ana e shqiptarëve ià nisi pushkën i pari Abdyl-Fetah Dragusha e pas tij të tjerët. Osman Pasha me të shpejtë i dha urdhën ushtrisë që të sulmojë, mirëpo në fillim kjo u thye e pastaj, duke i ardhë ndihma të reja, sulmoi prap…”, ndërsa Xh. Repishti e zgjeron kuadrin: “Janë shqiptarët që, mbasi dëgjuan fjalët e një aktivisti të shquar të Komitetit të Shkodrës, Abdyl-Fetah Dragusha – Vëllezër, të vdesim për besën e dhënë (besën shqiptare) e për vatanin, me guxim të rrallë sulen mbi turqit, pa marrë parasysh epërsinë numerike, si dhe artilerinë”. Në vetë dokumentet e kohës thuhet: “Më në fund njëri nga anëtarët e Lidhjes, duke iu bërë thinje të vetëve për të mbrojtur besën dhe atdheun, qëlloi mbi turqit”. Akti i tij heroik u përjetësua dhe nga poeti anonim:

Komisioni i këtij mileti

Na ish mbledhë n’shtëpi të Dragushës

Kush u ba sebep ma i pari?

Hoxhë Dragusha qiti pushkë! …

Pasi u thye ushtria shqiptare, forcat turke vazhduan marshimin dhe hynë në Ulqin, më 23 nëntor 1880, të cilin pastaj më 26 nëntor ua dorëzuan ushtrive malazeze. Së bashku me dorëzimin e Ulqinit mori fund edhe çështja e kufijve veriorë, e cila kishte shqetësuar për gati 30 muaj jo vetëm Perandorinë Osmane, por edhe diplomacinë evropiane. Megjithatë, edhe pse çështja e kufirit turko-malazez u mbyll, lufta që zhvilluan shqiptarët kundër shantazhit brutal të Fuqive të Mëdha dhe ndërhyrjes ushtarake të Portës së Lartë la përshtypje të thellë në opinionin publik të Evropës. Jo vetëm në shtyp, por edhe në disa parlamente të Evropës, u ngritën zëra proteste kundër politikës së Fuqive të Mëdha, të cilat vendosën të përdornin luftanijet për të shtypur të drejtat kombëtare të popullit shqiptar.

“Vija kufitare tërësisht në rregull ia dha Tivarin Malit të Zi, por për këtë hapësira e Ulqinit u nxor me dhunë nga interesat ekonomike të rajonit të Shkodrës dhe iu bashkëngjit krijesës së huaj, shtetit fantazmë të Malit të Zi”, – shkruante studiuesi çek, Viktor Dvorski, duke theksuar se për malazezët Ulqini ishte “i largët, i huaj për nga gjuha, feja dhe mundësitë ekonomike”.

Pas hyrjes së trupave malazeze Ulqinin e braktisën 413 familje me rreth tre mijë anëtarë, që bënte, madje 40 për qind të popullatës qytetare, të cilët kryesisht u shpërngulën në Shkodër dhe Durrës. Pronat e tyre i morën malazezët. Disa ardhacakë merrnin gurët nga bedenat e Kalasë për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Krajl Nikolla thuri një vjershë për Ulqinin, këtë perlë që iu hoq nga trupi i Shkodrës. Në akomodimin e ulqinakëve në Shkodër luajti një rol të rëndësishëm edhe Abdyl-Fetah Dragusha, duke u marrë me organizimin dhe sistemimin e tyre.

Abdyl-Fetah Dragusha vdiq diku nga viti 1892, duke lënë një kujtim të nderuar për veten dhe familjen. Vëllezërit Dragusha lanë shumë nipa e mbesa dhe sot kanë dhjetëra stërnipa e stërmbesa. Diktatura komuniste e trajtoi këtë familje shumë mizorisht. Mustafë (Caf) Hysen Dragusha u dënua me pushkatim në vitin 1948 pas një kalvari në hetuesi. U pushkatua për Kryengritjen Antikomuniste të Postribës. Gjithashtu, pjesëtarë të kësaj familjeje kanë vuajtur në burgjet e komunizmit 33 vite burg. Sa i hidhur ishte fati i kësaj familjeje.

Shqip

I ftuar në emisionin «Dita e Re»

Sot, me datë 23 maj 2025 isha i ftuar në Kanal10 në emisionin e mëgjesit “Dita e Re” për të folur rreth shtetit të Bruneit dhe kontributit te tyre për popullin e Kosovës.
Falënderoj Arten për ftesën dhe mikëpritjen!

Continue Reading

Shqip

Jetoj ku linda –Bërrnica, fshati që po i rikthehet gjallëria

Reportazh nga TëVë1

Continue Reading

Shqip

Intervistë mbi librin “Kontributi i popullit dhe qeverisë së Bruneit për Kosovën”

Continue Reading

Trending