Connect with us

Shqip

DOLI NGA SHTYPI LIBRI “BALLAFAQIMI ME NEVOJAT SHPIRTËRORE NË SPITAL”

DOLI NGA SHTYPI LIBRI “BALLAFAQIMI ME NEVOJAT SHPIRTËRORE NË SPITAL – Një krahasim ndërmjet Spitalit Kantonal të St. Gallenit dhe Spitalit Kantonal Münsterlingen“

Me datë 7 shtator 2024 doli nga shtypi libri “Ballafaqimi me nevojat shpirtërore në spital“ i autorëve, Feim Dragusha dhe Martina Tapernoux.

Ky punimi është mbrojtur në vitin 2011 pranë Universitetit të Cyrihut për Shkencat e Aplikuara në Winterthur (Zürcher Hochschule für Angewandte Wissenschaften), Instituti për Gjuhën në Profesion dhe Arsimim (ISBB Institut für Sprache in Beruf und Bildung).

Libri është botuar në dy gjuhët; shqipe dhe gjermane dhe i dedikohet të gjithë atyre që punojnë si përkujdesës shpirtëror (seelsorger) në Spitale të ndryshme të Evropës.

– Libri dhurohet falas për bibliotekat, Medresetë, Imamët si dhe për çdo studiues të kësaj fushe.

PARATHËNIA ME RASTIN E BOTIMIT NË GJUHËN SHQIPE

Falënderimet më kulmore i takojnë Allahut, Zotit të botëve! Dëshmoj se me të drejtë dhe me meritë nuk adhurohet askush pos Tij; Ai është Një, i Vetëm dhe nuk ka shok. Po kështu dëshmoj për Muhamedin alejhi selam, se është rob dhe i dërguar i Tij dhe vulë e pejgamberisë.

Libri që keni në duar është një punim modest, të cilin e kam përgatitur së bashku me zviceranen Martina Tapernoux, një pastore e reformuar. Punimi shtjellon sfidat dhe nevojat shpirtërore të pacientëve në spital, duke bërë kështu një krahasim ndërmjet dy spitaleve të njohura në Zvicër.

Ishte viti 2010, kur Departamenti për Çështje të Brendshme në Kantonin e St. Gallenit, kërkonte që liderët fetarë, imamët, pastorët (vendas dhe të huaj), të integrohen edhe më shumë duke studiuar këtë fushë, e cila është e re për shumë vende të Bashkimit Evropian, por shumë e nevojshme për spitalet, e me theks të veçantë për spitalet e Zvicrës – një shtet shumë i zhvilluar, në të cilin jetojnë afër 1 milion myslimanë nga vende të ndryshme të botës.

Në shtator të vitit 2010, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW) në Winterthur, filloi grupi i dytë i studentëve në programin CAS “Certificate of Advanced Studies – Certifikata e Studimeve të Avancuara”.

Ky punim ka ardhur si rezultat i punës në terren, ku së bashku me kolegen e studimeve në Universitetin e Cyrihut për Shkencat e Aplikuara në Winterthur (Zürcher Hochschule für Angewandte Wissenschaften ZHAW), pastoren M. Taper¬noux dhe me disa kolegë të tjerë, imamë dhe priftërinj, vijuam studimet në Institutin për Gjuhën në Profesion dhe Arsimim (ISBB Institut für Sprache in Beruf und Bildung).

Gjatë viteve 2010-2011, ishte vërtet një sfidë shumë e madhe për mua që t’i qasem studimeve të kësaj fushe duke ditur se gjuha gjermane është një gjuhë shumë e vështirë dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm. Po ashtu gjatë kësaj periudhe isha i angazhuar si imam dhe ligjërues në xhaminë “El Hidaje” në St. Gallen, dhe fal Zotit, më 30 qershor 2011, pas një përkushtimi të madh, së bashku me tre imamë të tjerë, absolvuam në këtë fushë duke u avancuar me njohuri të reja, të cilat janë në dobi të shoqërisë zvicerane në përgjithësi dhe komunitetit mysliman në veçanti. Drejtor i katedrës ka qenë prof. dr. Urs Willi, ndërsa prof. dr. Christiane Hohenstein, ka qenë drejtoresh, e cila që nga fillimi ka udhëhequr kursin (Studiengangleitung), duke zhvilluar diskutime të hapura për shumë çështje bashkëkohore, pastaj kemi diskutuar tema rreth feve qiellore, etj..

Në këtë studim, pastorja Martina Tapernoux, njëherësh kapelane e spitalit Münsterlingen dhe magjistër Feim Dragusha, imam në xhaminë shqiptare “El Hidaje” në St. Gallen, kanë vizituar stafin e dy spitaleve; St. Gallen dhe Münsterlingen, ku kanë diskutuar mënyrën se si trajtohen kërkesat shpirtërore të pacientëve në këto dy spitale, duke bërë një krahasim ndërmjet Spitalit Kantonal të St.Gallenit dhe Spitalit Kantonal Münsterlingen.

Gjatë punës sonë kemi konstatuar se në të dy spitalet, pacientët trajtoheshin më shumë si raste individuale dhe se nevojat e tyre të veçanta-shpirtërore mezi trajtoheshin nga infermierët, për të mos thënë se nuk merreshin fare parasysh. Kjo kryesisht ka ndodhur për arsye se emigrantët nuk kanë ende guxim që t’i deklarojnë apo t’i shprehin nevojat e tyre, e në disa raste pengesë ka qenë mosnjohja e gjuhës.

Në këtë studim, duke parë nevojat e komunitetit mysliman në Zvicër dhe duke qenë imam dhe ligjërues në një xhami shumë të madhe në qytetin e St. Gallenit, jam fokusuar në tri kërkesa shumë të rëndësishme, të cilat ua kam paraqitur drejtuesve të dy spitaleve, siç janë:

– Dhoma për faljen e namazit; kjo nënkupton që spitali duhet të ofrojë një dhomë për kryerjen e namazeve ditore për të gjithë ata që janë praktikues të fesë islame, pastaj,

– Kërkesa që pacientëve të besimit islam t’u shërbehet ushqimi hallall, sepse në ato raste kur ata janë të shtruar në spital, nuk ka hapësirë për të pyetur rreth përbërjes së ushqimit, por kjo duhet rregulluar para¬prakisht kur pacientët shtrohen në spital.

– Kërkesa ime e tretë ka qenë që gratë e komunitetit myslimanë të kontrollohen nga gjinekologet, sepse ka pasur shumë ankesa nga myslimanet, të cilat kur janë ballafaquar me mjekët, kërkesa e tyre është refuzuar dhe jo vetëm kaq, por edhe janë kritikuar si të prapambetura dhe nëse dëshirojnë t’i praktikojnë mësimet fetare, atëherë le të kthehen në vendlindje.

Kontribut të jashtëzakonshëm ka dhënë drejtuesi i Qendrës se Kompetencës për Integrim, Barazi dhe Projekte në Kantonin e St.Gallenit, zt. Beda Meier, i cili është edhe iniciator për etablimin e kësaj fushe.

Me rastin e ndarjes se certifikatave ditën kur absolvuam në vitin 2011, ai tha se angazhimi ndërfetar është i rëndësishëm dhe tërhoqi vëmendjen për bazat e Kushtetutës Federale “die Grundlagen in der Bundesverfassung”, duke veçuar lirinë e besimit (Glauben¬sfreiheit), e cila kërkon gjithashtu rregulla për integrim dhe se mbrojtja dhe njohja për pakicat fetare nuk duhet të mungojë asnjëherë.

Duhet theksuar se sot bota perëndimore ka filluar ta kuptojë se myslimanët që jetojnë si pakicë në vendet e Bashkimit Evropian, duhen respektuar dhe trajtuar ashtu siç trajtohen edhe pasuesit e feve të tjera, prandaj mungesa e respektit dhe besimit ndaj pasuesve dhe ndjekësve të religjioneve të tjera duhet reduktuar dhe kjo mund të realizohet përmes angazhimit ndërfetar, të cilën përgjatë viteve 2010 – 2019, e për të cilën kemi punuar pa ndërprerë që në xhaminë “El Hidaje” dhe më pas në xhaminë “Xheneti” të organizojmë aktivitete të shumta me karakter ndërfetar dhe ndërkulturor.

Qëllimi ynë ka qenë dhe mbetet që përmes aktiviteteve të organizuara në xhami, qytetarëve zviceranë dhe auto¬ri¬te¬teve shtetërore t’u tregojmë se Islami është fe e paqes, fe e tolerancës, e cila promovon dashurinë, koekzistencën, bashkëpunimin e ndërsjellë, dhe për të vërtetuar këtë, në shumë raste kemi ftuar priftërinj dhe pastorë që të prezantojnë gjatë ligjëratave tona ditëve të xhuma, duke pasur mundësinë që nga afër të shohin se si kryhen namazet ditore. Prandaj, mendoj që në këtë aspekt xhamia ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm duke ndërtuar ura bashkëpunimi me priftërinj dhe institucione të tjera të shtetit.

Punimi ynë “Ballafaqimi me nevojat shpirtërore në spital” është vlerësuar lart nga Universiteti i Cyrihut për Shkencat e Aplikuara në Winterthur dhe stafi akademik ka sugjeruar që ky studim të publikohet, prandaj falënderoj Zotin që pas 13 vjetëve, ky studim po e sheh dritën e botimin, jo vetëm në gjuhën gjermane, por edhe në gjuhën shqipe.

Për fund, dua të potencoj se në versionin shqip kam përmbledhur edhe disa nga aktivitetet e mia si përkujdesës shpirtëror (seelsorger) në spitalin e St. Gallenit përgjatë periudhës 2011-2019, si dhe në Spitalin e Fëmijëve (Ostschweizer Kinderspital), ku në vitin 2019, pranë stafit spitalor, së bashku me pastoren Dorothee Buschor Brunner, kemi ligjëruar me temën “Kuptimi i sëmundjes dhe vdekjes në Krishterim dhe Islam – (Anlass über Mittag zur Bedeutung von Krankheit und Tod im Christentum und Islam)” dhe në nëntor kemi ligjëruar rreth temës “Vdekja në Islam dhe Krishterim – (Sterben und Tod im Islam und Christentum)”.

Në Zvicër, çdo ditë e më shumë ndihet nevoja për përkujdesës shpirtëror, por në dekadën e fundit kjo kërkesë është shtuar dukshëm për imamët, pasi që numri i besimtarëve dhe pacientëve myslimanë është në rritje. Në Zvicër sot kemi mbi 5734 bashkësi fetare (religiöse Gemeinschaften), ku prej tyre 315 i përkasin komunitetit mysliman; shqiptar, arab, turk, boshnjak, etj.

Mbesim me shpresë që ky punim t’u sjell dobi mbarë lexuesve, e veçanërisht imamëve të cilët jetojnë dhe veprojnë në Bashkimin Evropian.

Imam Feim Dragusha (Ph.Dc.)
1 korrik 2024
Bërnicë e Epërme, Prishtinë
Republika e Kosovës

________________________________________________________

FJALA E RECENSENTIT

Rreth libërthit “Ballafaqimi me nevojat shpirtërore në spital” të autorëve: Feim Dragusha, Imam dhe Martina Tapernoux – Tanner, Pastore e reformuar

Dimensioni shpirtëror është një aspekt i rëndësishëm i jetës njerëzore. Çdo individ kërkon të jetojë në ekuilibër me veten, por i frikësohet shpërqendrimit, dobësisë dhe izolimit. Përkujdesësit shpirtëror, kërkojnë të kuptojnë këto nevoja shpirtërore dhe të ofrojnë mbështetjen e duhur për pacien¬tët dhe të afërmit e tyre. Është shumë e vështirë që të përcak¬tohen nevojat shpirtërore të pacientit në përgjithësi, pasi që çdo pacient ka kuadrin e tij personal, kulturor dhe social.

Libërthi që po lexoni është rezultat i bashkëpunimit të autorit mr. Feim Dragusha me zviceranen Martina Tapernoux, një pastore e reformuar. Në këtë libërth, dy autorët shqyrtojnë sfidat dhe nevojat shpirtërore të pacien¬tëve në spital, duke bërë një krahasim ndërmjet dy spitaleve të njohura në Zvicër, respektivisht Spitalit në St. Gallen dhe Münsterlingen.

Autorët në fjalë, përmes këtij libërthi theksojnë fuqishëm që jeta e pacientit është e shenjtë dhe ai duhet të ndjehet i rëndësishëm, sepse nuk është një numër në fushën e eksperimenteve dhe statistikave.

Pacienti zotëron dinjitet që duhet marrë në konsideratë, ngaqë kjo nuk ka të bëjë me mënyrën si e shohin të tjerët, andaj përkujdesësit shpirtëror duhet ta kuptojnë dhe vlerësojnë këtë vlerë sublime të pacientit.

Ata duhet të jenë të vetëdijshëm dhe të frymëzuar nga parimi se nuk mund të ndryshojnë realitetin e vdekjes, por mund të orientojnë dhe përgatisin pacientët për rrugëtimin e tyre me dinjitet, paqe dhe siguri.

Ky punim është një burim i çmuar i informacioneve për përkujdesësit shpirtëror, teologët dhe studiuesit e fesë. Përmbajtja e tij është e pasur dhe e dobishme për të gjithë ata që janë të interesuar për këtë temë.

Nehat Ismaili Ph.Dc.
16.07.2024
Aarburg – Zvicër

Shqip

I ftuar në emisionin «Dita e Re»

Sot, me datë 23 maj 2025 isha i ftuar në Kanal10 në emisionin e mëgjesit “Dita e Re” për të folur rreth shtetit të Bruneit dhe kontributit te tyre për popullin e Kosovës.
Falënderoj Arten për ftesën dhe mikëpritjen!

Continue Reading

Shqip

Jetoj ku linda –Bërrnica, fshati që po i rikthehet gjallëria

Reportazh nga TëVë1

Continue Reading

Shqip

Intervistë mbi librin “Kontributi i popullit dhe qeverisë së Bruneit për Kosovën”

Continue Reading

Trending